Takimi i Këshillit Profesional të Standardizimit diskuton Prioritetet dhe Strategjitë e reja për Standardizimin në Kosovë.Takimi i Këshillit Profesional të Standardizimit diskuton Prioritetet dhe Strategjitë e reja për Standardizimin në Kosovë. Prishtinë, 16 Korrik 2024 – Sot, në ambientet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, u mbajt takimi i Këshillit Profesional të Standardizimit (KPS). Në këtë takim morën pjesë anëtarë të KPS, përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Standardizimit (AKS) dhe të ftuar të tjerë të rëndësishëm nga sektori i industrisë dhe ndërmarrësisë, shoqatat dhe ministritë e linjës. Në takim ishin prezent Sekretarja e MINT znj. Sebahate Bushrani, si dhe Këshilltarja për çështje Juridike znj. Arta Kusari. Sekretarja e MINT znj. Bushrani në emër të Ministres së MINT znj. Rozeta Hajdari falenderoj KPS dhe anëtarët e saj për punën e jashtëzakonshme dhe kontributin e dhënë. Takimi u hap nga Kryetari i KPS, z. Butrint Batalli, i cili theksoi rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar dhe harmonizuar standardet vendore me ato ndërkombëtare. Z. Batalli falënderoi të gjithë të pranishmit për angazhimin dhe kontributin e tyre në fushën e standardizimit. Në rendin e ditës së takimit u përfshinë: * Miratimi i procesverbalit të takimit të kaluar. * Aprovimi i agjendës së takimit. * Raporti i Punës së AKS për gjashtë mujorin e parë të vitit 2024. * Shqyrtimi dhe votimi i programit të punës së AKS për gjashtë mujorin e dytë të vitit 2024. * Rekomandime për Komitete Teknike dhe Standarde të reja. Raporti i Punës së AKS për gjashtë mujorin e parë të vitit 2024, u prezantua në detaje nga znj. Qefsere Ajeti, zv. Drejtore e Përgjithshme në AKS Një pikë e rëndësishme e diskutimeve ishte programi i punës së AKS për gjashtë mujorin e dytë të vitit, i cili u shqyrtua dhe u miratua me votë nga anëtarët e KPS. Ky program përfshin një sërë iniciativash dhe projektesh të rëndësishme që synojnë përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve dhe shërbimeve në tregun kosovar. Në përfundim të takimit, anëtarët e KPS u angazhuan për të vazhduar me përkushtim dhe profesionalizëm në ofrimin e strategjive të reja në avancimin e agjendës së standardizimit. Takimi përfundoi me një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh, ku u ndanë rekomandime dhe konkluzione për hapat e ardhshëm. Kryetari i KPS, z. Butrint Batalli, e mbylli takimin me këto fjalë: "Standardet janë gurthemeli i cilësisë dhe besueshmërisë në çdo industri. Ato na mundësojnë të ndërtojmë një treg të drejtë dhe të qëndrueshëm, duke garantuar siguri dhe cilësi për të gjithë qytetarët."
16 Jul 2024 |