Ditën Botërore të Standardeve 2019.Agjencia Kosovare për Standardizim (AKS), me datën 16 tetor në “Emerald” Prishtinë ka shënuar Ditën Botërore të Standardeve 2019.
Kjo ditë, është organizuar nga AKS në bashkëpunim me FMG II, dhe si e tillë festohet që nga viti 2009.
Të pranishëm kanë qenë rreth 140 pjesëmarrës nga gati të gjitha palët e interesit, duke filluar nga bizneset më të vogla deri ato më të mëdha, private apo publike, prodhuese apo shërbyese, universitetet, trupat për vlerësim të konformitetit, etj.
“Standardet janë në shërbim të globalizimit të tregut duke ofruar konkurrueshmëri të ndershme, dhe produkte cilësore dhe të sigurta”, këtë përkufizim e ndau me pjesëmarrësit në hapje të ngjarjes Zëvendës Ministri i MTI, Bekim Jupa. Në mënyrë që AKS të ofroj shërbime sa më të afërta për bizneset dhe palët tjera të interesit, theksoi se MTI mbështet AKS në ngritjen e kapaciteteve të saja si dhe në implementimin e plotë të ligjit për standardizim dhe udhëzimeve administrative në mënyrë që standardet të zbatohen në shkallë të dëshiruar.
Ndërsa, Udhëheqësi i Ekipit për Seksionin e Zhvillimit Ekonomik dhe Bashkëpunimit, Zyra e BE në Kosovë, George Papagiannis tha: Sot në Ditën Botërore të Standardeve 2019, po shprehim mirënjohjen ndaj punës që bëjnë mijëra ekspertë që zhvillojnë standarde në mbarë botën dhe i shkëmbejnë ato vullnetarisht. Standardizimi Evropian ka rëndësi të madhe në tregun e përbashkët të BE, tha Papagiannis, kontribuon në integrimin e këtij tregu dhe mbështetë konkurrueshmërinë, krijimin e vendeve të punës, inovacionin dhe industritë.
Drejtori i Përgjithshëm i AKS, Hafiz Gara prezantoi Strategjinë Afatmesme të Agjencisë Kosovare të Standardizimit 2020-2025: “Një vizion i ri në standardizim”.
Prezantime të rëndësishme në këtë event, u bënë edhe nga Bujar Istogu, Drejtor i Drejtoratit për Standarde, Promovim dhe Integrim “Aktivitetet e Agjencisë Kosovare për Standardizim”; Richard Wheatley, Ekspert i angazhuar nga projekti FMG II “Bashkëpunimi AKS-Standardizimi Evropian dhe Ndërkombëtarë”; Arben Ajazi, Kryetar i Komitetit Teknik për Eurokode “Eurokodet në Kosovë”; si dhe Mamer Vila, Anëtar i Komitetit Teknik për Derivate të Naftës dhe Gazit “Implementimi i Standardeve në Doganat e Kosovës”. 17 Oct 2019 |