Republika e Kosovës
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

PROMOVIMI I STANDARDEVE PËR PRODUKTE VENDORE DHE IMPLEMENTIMI I MSA-SË

Shtëpi » Lajm »
PROMOVIMI I STANDARDEVE PËR PRODUKTE VENDORE DHE IMPLEMENTIMI I MSA-SË

-Agjencia Kosovare e Standardizimit (AKS), mori pjesë në tryezën “Promovimi i standardeve për produkte vendore dhe implementimi i MSA-së”, e organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Në këtë tryezë ishin të pranishëm Z. Faton Thaqi, Zëvendësministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë; Hafiz Gara, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Standardizimit, ndërkaq tryeza u drejtua nga Learta Hollaj, menaxhere në INDEP.

Tryeza pati gjithashtu pjesëmarrës të shumtë të kompanive të produkteve vendore si dhe asociacione për mbrojtjen e këtyre produkteve. Kjo tryezë u mbajt në kuadër të projektit “Me produkte konkurrente drejt tregut evropian” dhe qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i politikave krahas rritjes së interesimit dhe numrit të bizneseve kosovare që zbatojnë standarde evropiane. Përmes këtij projekti, INDEP do të kontribuojë në disa nga prioritetet e identifikuara që kanë të bëjnë me konkurrencën dhe lëvizjen e lirë të mallrave. Projekti synon t’u ndihmojë palët e interesit në implementimin e masave të MSA.

 

Faton Thaqi, zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tha se Ministria është e fokusuar në përafrimin e infrastrukturës ligjore me rregullat e BE-së. “Prodhuesit janë duke zbatuar standardet, e cila është kusht për rritjen e eksportit. Standardizimi është bazë e fortë e çdo ekonomie pa të cilin nuk do të kishim siguri dhe cilësi në produkte. “Për ne si kabinet është jetike dhe prioritet, që shërbimet në të gjitha fushat nga bizneset të jenë cilësore dhe që e kënaqin konsumatorin dhe se si qytetarë në fund të ditës të gjithë jemi në pozitën e konsumatorit”, ka thënë Thaçi.

 

Ndërkaq, Z. Hafiz Gara, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Standardizimit, tha se standardet janë duke u adoptuar në vazhdimësi, dhe numri i tyre është i mjaftueshëm, për nevojat themelore të ekonomisë kosovare. AKS, për të plotësuar një ‘kriter’ të anëtarësimit të vendit në BE, obligohet që t’i adoptojë në shkallën 80 për qind standardet EN, shifër të cilën tashmë e kemi realizuar mbi 50 për qind. 

 

Dardan Abazi, hulumtues në INDEP dhe autor i punimit të prezantuar tha se standardizimi varet nga niveli i përgjithshëm i zhvillimit ekonomik. Sipas rekomandimeve të dala nga punimi, nevojitet një dialog më i gjerë shoqëror mbi këtë çështje. Z. Abazi tha se nevojitet më shumë njohuri për bizneset që ato të aplikojnë standarde në produktet e tyre. 

 

 

 

 

 

 

06 Mar 2018